Sot e gjithë vëmendja sportive botërore do të jetë në Itali, për derbin e madh, Inter-Milan. Një derbi që gjithmonë ka tërhequr vëmendje, por këtë herë akoma edhe më shumë për vetë rëndësinë e ndeshjes dhe momentin delikat të dy ekipeve.
Interi ndodhet në një formë fantastike këtë sezon, por bilancin me Milanin e Conceicaos nuk e ka fare të mirë dhe kërkon që të vendos nderin në vend. Ndërkohë Conceicao nga ana tjetër, ka shkatërruar çdo gjë te kuqezinjtë, por ka krenari për ndeshjet me Interin.
Surpriza e madhe do të vijë nga Inzaghi në këtë takim. Sipas raportimeve të fundit nga mediat italiane, Kristjan Asllani do të hidhet nga minuta e parë kundër Milanit. Pavarësisht rëndësisë së madhe të ndeshjes, është nga të pakëtat raste kur Inzaghi i beson shqiptarit në një “ndeshje zjarri” dhe shqiptari këtë herë duhet të përvesh mirë mëngët për të spikatur nga të gjithë të tjerët, nëse kërkon ende që të jetë një lojtar i Interit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/