Të gjithë presin se ku do të shkojë në merkaton e verës, ja se ku shfaqet Armando Broja 

Të gjithë janë në pritje të lajmit se cili do të jetë ekipi i ri i Armando Brojës. Sulmuesi shqiptar e ka mbyllur me Chelsea-n dhe është në kërkim të një skuadre të re. Ai nuk është pjesë e projektit të londinezëve dhe prandaj është lënë jashtë ekipit për Botërorin e klubeve. 

E ndërsa jemi në pritje të zhvillimeve rreth Brojës, vetë lojtari ndodhet me pushime në Amerikë. Në një foto të publikuar nga komuniteti shqiptar që jeton atje, shihet edhe Armando Broja. Sulmuesi duket se ka marrë disa ditë për t’u qetësuar, ndërsa ajo që shkakton habi është fakti se nuk ka asnjë zhvillim në merkato rreth tij.  

Duke parë dëmtimet e shpeshta të tij, Broja është “i dënuar” për t’u transferuar sa më shpejt në një skuadër të re, në mënyrë që të marrë fazën e plot përgatitore dhe të rikthehet në formën fizike ideale për kampionat. Transferimet e kohëve të kaluara të tij në minutën e fundit kanë rezultuar të dështuara në këtë aspekt, por duket se edhe këtë herë, Broja do të luajë në transferim me ditët e fundit. E gjitha kjo situatë e menaxhuar jo mirë dëmton padyshim futbollistin tonë. /Sport Ekspres/