Menaxheri i Marash Kumbullës ka dhënë një intervistë për “Tuttomercatoweb.com”, ku ka treguar më tepër detaje rreth transferimit të lojtarit të tij drejt Sasuolos. Vitali është shprehur se Roma nuk dëshironte të hiqte dorë nga mbrojtësi shqiptar, teksa pranonte vetëm oferta në formën e huazimit pa të drejtë blerjeje. Agjenti Italian ka shtuar se Kumbulla pranoi të largohej nga Roma për të mos humbur Kampionatin Europian me Shqipërinë. Sipas Vitalit, 24-vjeçarit i mjaftojnë dy ndeshje nga minuta e parë për të arritur formën e tij më të mirë.
“Marrëveshja në janar nuk ishte e lehtë, sidomos për të gjetur një ujdi mes të gjitha palëve. Roma pranonte ta transferonte vetëm me një huazim të thatë (pa të drejtë blerjeje) dhe djali sapo ishte kthyer nga një dëmtim i gjatë. Në fund gjithçka shkoi mirë dhe djaloshi mbërriti në Sasuolo, me Marashin që do të luftojë deri në fund për mbijetesën. Ai lëshoi diçka nga ana ekonomike në mënyrë që të shkonte të luante, por ishte e rëndësishme për të që të mos humbte ekipin kombëtar në prag të Kampionatit Europian dhe të kthehej gati te Roma. Është mirë tani. Sigurisht që mund të arrijë gjendjen e tij duke luajtur, por është një loojtar që me dy ndeshje mbi supe menjëherë e gjen gjendjen e tij ideale. Ai mezi po pret që ta nisë nga minuta e parë, ndoshta që në ndeshjen e radhës”, ka thënë Xhani Vitali./Halit Delibashi-Sport Ekspres/