Mbrëmjen e sotme janë kurorëzuar më të mirët e futbollit shqiptar. I pranishëm në këtë ceremoni gala, të organizuar në Teatrin e Operas dhe Baletit, ishte edhe Armand Duka, i cili ka dorëzuar në fund trefeun e “Topit të Artë” në duart e Bekim Balajt. Në fjalën e mbajtur përpara të pranishmëve në sallë, kreu i FSHF-së ka listuar arritjet e futbollit shqiptar në vitin 2025, të cilat synon t’i shtojë edhe më tepër në vitin pasardhës. Gjithashtu, Duka i kërkuar publikisht Ramës të thellojnë bashkëpunimin për të mirën e sportit në vend.
“Kam nderin që t’ju përshëndes të gjithve sonte, në këtë mbrëmje të “Topit të Artë 2025”, i cili është më shumë se një ceremoni çmimesh. Është festa e futbollit, një gjuhë e përbashkët që lidh fëmijët që ëndërrojnë me kampionët që na përfaqësojnë. Është çasti kur do të ndalim të shohim pas me mirënjohje dhe përpara me besim, duke nderuar jo vetëm gola dhe trofe, por të gjithë ata që i japin frymë futbollit çdo ditë në këtë vend.
Futbolli do të luhet gjithmonë. Është luajtur përpara nesh dhe do të luhet edhe pas nesh. Ajo që ka rëndësi është, që për aq kohë sa i dedikohesh atij, ta bësh atë sa më të mirë dhe të jemi krenarë për gjurmët që lëmë pas. I tillë ka qenë për ne viti 2025 që po mbyllim, pasi ky vit shënoi një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së futbollit tonë. Rezultatet e ekipit kombëtar, progresi i klubeve, tribunat e mbushura në ndeshjet e Kombëtares dhe pozicionimi i Shqipërisë në hartën e futbollit europian dëshmojnë qartë se futbolli shqiptar ka hyrë në një etapë të re zhvillimi. Në muajin maj të këtij viti pritëm një nga eventet më të rëndësishme të UEFA-s, Kampionatin Europian për 17-vjeçarët. Ndërsa në shtator e shndërruam Tiranën në qendrën e futbollit europian, duke mirëpritur Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.
Këto ngjarje i treguan Europës se Shqipëria është e aftë të organizojë evente madhore me standarte të larta, duke treguar mikpritje dhe vlera thellësisht të rrënjosura në AND-në tonë. Sigurisht që këtë vit emocionet më të forta na i dha ekipi kombëtar. Për herë të parë në histori, Shqipëria luan në ‘play off’ për Kampionatin Botëror 2026. Kjo fjali që dikur quhej e pamundur, sot është bërë realitet.
Të dashur futbollistë të ekipit kombëtar, gjatë këtyre kualifikueseve ju keni qenë frymëzim për çdo fëmijë që ka veshur fanellën e futbollistit, për çdo familje që është mbledhur përpara ekranit, për çdo tifoz që ka brohoritur në shkallët e stadiumit, si dhe për çdo shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Ne do të jemi krahë jush në çdo hap drejt ëndrrës sonë të madhe ‘Botërori 2026’. Por sonte, edhe pse emocionet e Kombëtares janë në zemrën e secilit nga ne, kjo mbrëmje u takon edhe atyre që mbajnë peshën e garës në vend, klubeve tona. Pikërisht për këtë arsye angazhimi që morëm në Asamblenë e Federatës së Futbollit këtë vit nuk është më thjesht një fjali në proçesverbalet e mbledhjeve, por një realitet.
Tre milionë euro do t’ju shpërndahen klubeve nga të ardhurat e Federatës për vitin 2026, të cilat do t’i shërbejnë rritjes profesionale të tyre, garave, stërvitjeve, ndeshjeve të kampionatit shqiptar. Futbolli shqiptar nuk kufizohet vetëm në 90 minuta në një stadium elitar, ai përfaqëson një univers të tërë. Energjia pulson në çdo cep të vendit. Në sistemin tonë janë regjistruar 27867 njerëz të angazhuar në futboll si lojtarë, trajnerë, arbitra e vëzhgues. Ndërsa janë organizuar 14354 ndeshje në të gjitha nivelet, nga kampionatet elitare deri në ato amatore. Veçanërisht inkurajuese është rritja e numrit të fëmijëve në futboll. 10% për djem dhe 23.8% për vajza.
Nëse i madhi i futbollit, Johan Krojfi, ka thënë: ‘ndeshja fitohet shumë më përpara se sa të hysh në fushë’, atëherë ne e dime mirë se ato fitohen në projektet ku investojmë sot, në akademitë ku formohen të rinjtë, në kurset ku trajnohen trajnerët, në infrastrukturën ku rritën gjeneratat e reja dhe në mbështetjen që i japim futbollit të vajzave.
Sot, i nderuar Kryeministër, më shumë se kurrë mendoj se ky bashkëpunim ka nevojë të thellohet. Futbolli, siç e kam thënë shpesh, është më shumë se sport. Është mënyrë jetese. Një shkollë disipline dhe karakteri për fëmijët tanë. Prandaj dua t’i inkurajoj të gjithë partnerët dhe institucionet të marrim së bashku një përgjegjësi më të madhe në vitet që vijnë, për t’ju dhënë brezave të rinj më shumë hapësirë, më shumë mundësi dhe një të ardhme të shëndetshme përmes sportit.
Të dashur miq, po e mbyll këtë fjalë me një zotim të qartë, që në 2026-n nuk do të mjaftohemi me atë që kemi arritur. Do të synojmë më lart. Do të jemi më të rreptë me veten dhe më të guximshëm në ëndrrat tona për futbollin shqiptar, sepse kjo është mënyrë se si e jetojmë ne futbollin. Si një forcë që na bashkon, na emocionon dhe na bën të besojmë se e nesërmja do të jetë më e mirë. Faleminderit të gjithve që jeni pjesë e rrugëtimit tonë! Gëzuar mbrëmjen e “Topit të Artë”! Gëzuar festat e fundvitit! Gëzuar Vitin e Ri dhe rroftë futbolli shqiptar”, ka thënë Armand Duka./Sport Ekspres/