“Vazhdojmë me sëmundjen tonë të vjetër”, Abilaliaj komenton barazimin me Skënderbeun: Thjesht duhet ta kishim futur topin në rrjetë

“Vazhdojmë me sëmundjen tonë të vjetër”, Abilaliaj komenton barazimin me Skënderbeun: Thjesht duhet ta kishim futur topin në rrjetë

Java e 16 e “Abissnet Superiore”-s është mbyllur me dy barazime. Teuta ka ndalur Egnatian në “Niko Dovana”, teksa ndeshja përfundoi me shifrat 2-2. Në krahun tjetër, Partizani ka barazuar me rezultatin 1-1 kundër Skënderbeut. Egnatia vijon të kryesojë tabelën e renditjes me tre pikë më tepër se Partizani i vendit të dytë. Pas përfundimit të ndeshjeve, trajnerët përkatës kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Abilaliaj (Partizani): “Kemi nevojë që të gjejmë stabilitet defensiv. Fakti që rikthehet Sota ishte një hap përpara. Ishte vetëm një moment… Në mos gaboj ndeshja pati vetëm tre raste. Ne vazhdojmë sëmundjen tonë të vjetër, që shpërdorojmë shumë. Megjithatë, jam i kënaqur me skuadrën. Nuk është e lehtëtë luash dy ndeshje në tre ditë. Luajtëm me Teutën dhe tani luajtëm sërish në intensitet të lartë. Sot ndeshja nuk kishte shumë histori, thejsht duhet ta kishim futur topin në rrjetë”.

Martini (Teuta): “Nuk është hera e parë. Është e disata herë që na ndodh kjo punë. E dinim kë kishim përballë. Por të shënosh në minutë të 96 dhe të pësosh gol në minutën e 97 është për të ardur keq. Në sekondën e fundit të pësosh atë gol është e pafajshme. Egnatia ka cilësi dhe ka stol për të kthyer ndeshjen. Ndikoi edhe lodhja. Por kështu si shkoi loja, të vjen keq. Është mungesë karakteri. Mungon ai që thotë ky top nuk kalon këtu dhe pikë. E presim janarin me padurim. Duhen lojtarë. Shqyqyr Zotit që s’po gabojmë vetëm ne, po gabojnë edhe të tjerët. Kështu që diferenca mbetet e njëjtë”.

Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Nuk mund të them që jam shumë i kënaqur, por nuk jam as shumë i mërzitur. Mendoj që barazimi ishte rezultat i drejtë. Edhe ne patëm 3-4 raste për golin e dytë, ashtu si Partizani. Dean Liço sot nuk ishte në lëvizje të mirë. Ai është një lojtar nga i cili pres më shumë. Është një lojtar me cilësi, por sot nuk ishte mirë. Edhe Partizani tregoi cilësi. Problemi në pjesën e dytë ishte se erdhi goli shumë shpejt. Pastaj ishim pak të nervozuar”.

Tetova (Egnatia): “Pjesa e parë ishte për Teutën. Na kishin bllokuar. Nuk ishim mirë në manovrën për të njerrë topin nga mbrojtja. Kjo edhe për meritë të kundërshtarit. Në pjesën e dytë ndërrua skemën dhe gjithçka shkoi mirë. Ka episode loja, siç ishte ai episodi i penalltisë. Ajo që shfaqi skuadra ishte shpirti i madh i gjithë lojtarëve. Nuk kemi pasur oshilacione në qarkullimin e topit, atë e kemi pikë të fortë. Sapo më thanë tani që ka barazuar edhe Partizani. Më vjen mirë që nuk humbëm dhe ruajmë pozicionin. Ishte një pikë e shenjtë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/