“Vendi juaj ka shumë për t’u ndjerë krenar”, Infantino vlerëson rritjen e futbollit shqiptar: E që e ardhmja e futbollit është në duar të sigurta

“Vendi juaj ka shumë për t’u ndjerë krenar”, Infantino vlerëson rritjen e futbollit shqiptar: E që e ardhmja e futbollit është në duar të sigurta

FSHF-ja ka organizuar sot mbrëmjen gala “Më të mirët 2023”.  Një event që shërben për të nderuar ata që kanë qenë më të mirët në sportin e futbollit në këtë vit kalendarik. Të ftuar në këtë ngjarje janë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, kreu i FFK-së, Xhanluka Xambrota, e shumë ish-lojtarë që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar. Në këtë ceremoni ka qenë i pranishëm edhe Xhani Infantino përmes një video-mesazhi. Presidenti i FIFA-s ka përgëzuar Federatën për punën e bërë dhe për rritjen e futbollit shqiptar ndër vite.

“I dashur presidenti Duka, të dashur kolegë të Federatës së Futbollit të Shqipërisë, të dashur miq, në një mbrëmje si kjo që po shijoni sot, festojmë më të mirët e futbollit të shqptari dhe vendi juaj sigurisht ka shumë për t’u ndjerë krenar pas një viti 2023 fantastik. Në vitin 2022 festuam 90-vjetorin e anëtarësimit të FSHF-së në FIFA dhe ju mirëpritët finalen e një kompeticioni europian për klube në kryeqytetin tuaj të bukur. Këtë vit ju keni siguruar pjesëmarrjen tuaj në finalet e Euro2024, duke u renditur për herë të parë në krye të grupit tuaj kualifikues.

Epo, vetëm mund t’ju përgëzoj të gjithëve ju, Presidentin Duka, trajnerin e Kombëtares Silvinjon dhe të gjithë lojtarët dhe stafin që e bënë të mundur këtë arritje. Jam i sigurt që verën e ardhshme do ta bëni vendin tuaj krenar në Gjermani. Sigurisht, me Kupën e Botës FIFA për femra, ishte gjithashtu një vit i madh edhe për FIFA-n dhe për futbollin e femrave. Ishte një turne transformues, Kupa e Botës më e mirë për femra e FIFA-s deri më sot, dhe jam i kënaqur që FSHF-ja po përqendrohet gjithashtu në përfshirjen e sa më shumë grave dhe vajzave në futboll dhe po shohin një progres pozitiv gradual në renditjen botërore në këtë aspekt. E kam mirëpritur me entuziasëm strategjinë e futbollit të vajzave “Rising Stars”, që ju prezantuat së fundmi. Dua t’ju inkurajoj që të ndiqni synimet tuaja.

Imagjinoni sa fantastike do të ishte të shihnim Kombëtaren e Shqipërisë në Kupën e Botës FIFA me 48 ekipe në vitin 2026 dhe Kombëtaren e vajzave në Kupën e Botës FIFA për femra një vit më pas. Jo vetëm kaq, por me shumë mundësi të krijuara në nivelet e moshave falë turneve të përvitshëm të FIFA-s, me një pjesëmarrje gjithnjë e më të gjerë, pres me padurim të shoh ekipet shqiptarë të moshave për vajza dhe djem të bëjnë progres dhe të marrin pjesë në kompeticionet tona U17 dhe U20 në një të ardhme të afërt.

E di që e ardhmja e futbollit në Shqipëri është në duar të sigurta dhe shumë të afta, falë edhe mbështetjes së Qeverisë dhe Kryeministrit, mikut tim të dashur, Edi Ramës. Jam i sigurt që do të vazhdoni ta bëni lojën e bukur edhe më të bukur falë të menduarit në mënyrë inteligjente dhe krijuese, dhe, natyrisht, vendosmërisë dhe punës suaj të palodhur. Dhe ju tani keni shumë për të pritur për vitin e ardhshëm. Urime fituesve të çmimeve për arritjet e tyre këtë vit, dhe natyrisht, ju uroj të gjithëve një mbrëmje të mrekullueshme. Shihemi së shpejti. Një përqafim i madh për të gjithë. Mirupafshim!”, është shprehur Xhani Infantino./Halit Delibashi-Sport Ekspres/