Ndeshja e sotme mes Gironës dhe Real Sociedadit ka prodhuar polemika. Gironës i është anulluar një gol në minutën e 24-t për shkak të pozicionit jashtë loje. Por pozicionimi përpara linjës së mbrojtjes kishte ndodhur 35 sekonda përpara se të ndalej topi në rrjetë. Gjatë kësaj kohe lojtarët e Real Sociedadit ndërprenë dy herë aksionin sulmues të bardhekuqve.
Tifozëve nuk u ka pëlqyer ky vendim, të cilin e kanë parë si favorizim për Realin e Madridit kryesues. “Kjo është mënyrë, kjo është mënyrë, kjo është mënyra se si fiton Madridi”, ishin koret e thërritura nga tifozeria e Gironës. Këta të fundit kanë treguar një pankartë që akuzonte madrilenët si ‘hajdutë’. “Vjedhje”, shkruhej në gjuhën spanjolle në pankartën e shfaqur prej disa tifozëve, ndërsa një vend të gërmës ‘o’ ishte vendosur stema e Realit të Madridit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/