VIDEO/ I bëri mbrojtësat e Osijekut që të kishin “marrje mendsh”! Jo vetëm goli, shihni spektaklin dje të Arbër Hoxhës me Dinamo Zagreb

Të gjithë mezi presin ndeshjet e Shqipërisë në shtator dhe këtë herë jo vetëm për të parë Kombëtaren, por pengun e tyre të madh nga Europiani i Gjermanisë: “Si do të jemi me Arbër Hoxhën titullar?”. Këtë pikëpyetje e kemi ende dhe me siguri do ta shuajmë në shtator pasi tanimë nuk ka asnjë arsye të vetme që e lë Hoxhën në stol te Shqipëria. Dy ndeshje në kampionat dhe dy gola për Hoxhën te Dinamo Zagrebi, madje goli i tij i parë ishte ai që hapi kampionatin në Kroaci.

Në ndeshjen e djeshme, Arbëri realizoi një tjetër gol të bukur kundër Osijek. Por përtej golit, ai i shfaqi sërish aftësitë e tij duke i shkaktuar pak lëkundje ekuilibri mbrojtësave kundërshtarë. Që në minutën e 3, Hoxha e shtangu bukur në driblim kundërshtarin e tij, por për fatin e keq topi nuk shkoi në portë. Në minutën e 9 ishte një tjetër rast kur Hoxha e kaloi kundërshtarin si një piketë, por gaboi në pasimin e fundit. Ndërkohë në minutën e 21 do të mbërrinte goli i sulmuesit shqiptar ndaj Osijek. /Sport Ekspres/