Real Madridi apo Barcelona, Mbappe apo Yamal? Kjo ishte pyetja e shumë tifozëve përpara El Clasico-s së sotme, por në këtë super përballje, të gjithë vëmendjen dhe prozhektorët ishin drejtuar tek arbitri i takimit, Cesar Soto Grado. Një Real Madrid-Barcelona nuk mund të mbyllet kurrë pa polemika, një intesitet i tillë i lartë nuk mund të mbyllet kurrë në paqe, do të ketë gjithmonë ankesa. Por këtë herë situata ishte akomë edhe më e vështirë pasi lufta kishte nisur që në deklaratat për shtyp.
Presidenti i Barcelonës, Yamal dhe pjesëtarë të tjerë të katalanasve kishin akuzuar Real Madridin si një ekip që fiton padrejtësisht me ndihmën e arbitrave. Kështu tensioni për arbitrin dhe paragjykimet për të ishin pa nisur ndeshja dhe menjëherë Cesar e nisi me aksion.
Ndeshja përfundoi në shifrat 2-1 në favor të Real Madrid falë dy golave të ardhur nga Mbappe dhe Bellingham, që zhvlerësuan realizimin e Fermin Lopez. Xabi Alonso i ishte përgjigjur arrogancës së Yamal duke thënë se do t’ia linte gjithçka fushës që të fliste. Në minutën e 2 arbitri kryesor i takimit tregoi gjithë guximin e tij ku mes polemikash të ngritura për favorizimin e Real Madridit, nuk ngurroi të tregonte gishtin nga pika e bardhë e 11-metërve pas një kontakti të Vinicius Junior me Yamal, si për të treguar se fjalët jashtë fushës nuk kishin asnjë ndikim tek ai.
Megjithatë pas përsëritjes së pamjeve u pa se penalltia nuk ishte dhe kështu falë VAR, arbitri anulloi vendimin e parë, por tregoi se kishte karakter të fortë. Pak minuta më vonë Mbappe realizoi një super gol, por u anulua dhe nëpërmjet përsëritjes së pamjeve kishte një pozicion jashtë loje milimetrik të Mbappe, që ka ngjallur dhe kjo jo pak diskutime në rrjetet sociale.
Ndërkohë faqet e dedikuara për Barcelonën kanë një pretendim për golin e realizuar nga Bellingham, pra golin e dytë që vendosi fitoren e Real Madrid 2-1 kundër katalanasve. Përpara se topi të mbërrinte në këmbët e Bellingham, kishte një duel mes Dean Huijsen dhe Pau Cubarsi. Një duel i fituar nga lojtari i Realit në ajër përpara se topi të mbërrinte te Bellingham, i cili me portën e boshatisur nuk e kishte të vështirë që të shënonte. Në përsëritjen e pamjeve duket qartë një bërryl i hapur i Huijsen që i jep jo pak avantazh në duelin me Cubarsin, me këtë të fundit që përfundoi në tokë. Megjithatë kjo situatë u pa si një aksion i rregullt dhe goli në fjalë dhuroi fitoren e Realit.
Por përtej këtij episodi, ishte një ndeshje ku arbitri pati një paraqitje të mirë, ndërsa gjithcka shpërtheu në fund. Vinicius Junior dhe Dani Carvajal janë kapur me Lamine Yamal për shkak të fjalëve të thëna nga ky i fundit për Real Madridin, duke e akuzuar si një klub që vetëm vjedh nëpërmjet gjyqtarëve dhe vetëm ankohet. “Fol tani, fol më shumë”, ishte mënyra sesi i janë drejtuar lojtarët e Real Madridit, yllit të Barcelonës, me këtë të fundit që shpërtheu dhe nuk mund ta kontrollonte dot veten. “Të gjitha pasimet e tua ishin vetëm mbrapa, jepi fol, vazhdo”, ishte mënyra sesi iu drejtua edhe Vinicius Junior, lojtarit spanjoll të Barcelonës.