Xabi Alonso e ka nisur me fitore sezonin e tij të parë në krye të stolit të Realit të Madridit. Klubi spanjoll ka mposhtur sot Osasunën në ndeshjen e vlefshme për javën e parë të La Ligës.
Madrilenët kanë dominuar kundërshtarin përgjatë gjithë lojës. Topi ka qenë në zotërimin e tyre në 71% të kohës, si dhe kanë realizuar 18 përpjekje për gol, ndër të cilat 5 kanë përfunduar në portë. Në krahun tjetër, Osasuna numëron vetëm dy përpjekje për gol, por pa mundur të godisnin asnjëherë portë.
Megjithatë, pavarësisht statistikave, ndeshja u vendos nga një 11 metërsh. Kilian Mbapeja u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 51-të, duke vulosur kështu rezultatin përfundimtar në 1-0 në favor të Realit të Madridit./Sport Ekspres/