Tirana ka qenë mjaft aktive në tregun e transferimeve. Pas largimeve të shumta, tashmë bardheblutë po lajmërojnë afrimet e reja në skuadër. Në klubin kryeqytetas u kthye sërish Aldi Gjumsi, ndërsa përforcimet nuk kanë munguar as në repartin e mbrojtjes. Tirana ka njoftuar përmes faqes zyrtare në “Facebook” se pjesë e tyre në sezonin e ardhshëm do të jetë edhe Arhan Isufi. Ky i fundit është 25 vjeç dhe karrierën e ka zhvilluar në vendlindjen e tij, në Bullgari. Së fundmi, Arhan Isufi ishte pjesë e Hebarit në elitën e futbollit bullgar.
“Mirësevjen Arhan Isuf! Klubi i Futbollit Tirana njofton afrimin e radhës në merakton e verës. Mbrojtësi i djathtë, Arhan Isuf është emri më i ri që do të rreshtohet në radhët e bardhebluve. 25-vjeçari bullgar është bashkuar në stërvitje me ekipin dhe ka nisur përgatitjet për sezonin e tij të parë në kampionatin shqiptar, pas një eksperience të gjatë në futbollin bullgar. Klubi i Tiranës i uron mirëseardhje mbrojtësit Isuf dhe shumë suksese me fanellën bardh’ e blu”, ka njoftuar klubi Tirana./Halit Delibashi-Sport Ekspres/