Detajet e para të natës tragjike së 29 nëntorit ku mbeti e vrarë 33-vjeçarja, Liridona Murseli morën kthesë sot kur Policia e Kosovës arrestoi burrin e saj Naim Murselin dhe Granit Plavën si të dyshuar për vrasjen e saj në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Pak orë para se të arrestohej, Naim Murseli mori pjesë në ceremoninë e varrimit të Liridonës, ceremoni kjo që u krye në fshatin e tij. Ndërsa, vetëm pak orë pas arrestimit të të njëjtit, u raportua se familja Ademaj ka kërkuar nga Policia e Kosovës zhvarrimin e trupit të Liridonës nga aty ku u varros.
Ndër tjera, Gazeta Sinjali merr vesh ekskluzivisht se familja Ademaj, familjes Murseli i ka dhënë dy ditë besë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë sot gjatë ditës tha se është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra, duke shtuar se të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve do të ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore.
Për t’u rikthyer vetëm disa orë para arrestimet, Naim Murseli, i cili dyshohet se pagoi Granit Plavën me 30.000 euro për ta kryer vrasjen e gruas në sy të fëmijëve, u pa teksa merrte pjesë në varrimin e të ndjerës, ku priti e përcolli të afërmit që kishin ardhë për ngushëllime.
Pas arrestimit të Naimit, babai i tij Shaban Murseli njoftoi se për shkaqe familjare janë anuluar të pamet për Liridonën.