VIDEO/ Me flamurin e Shqipërisë dhe veten duke bërë shqiponjën, kështu e festoi titullin Mario Mitaj te Al Ittihad

Nuk janë të shumtë lojtarët e Shqipërisë që në fundin e sezonit e kurorëzojnë veten me titullin kampion. Njëri prej tyre është edhe Mario Mitaj, mes atyre pak lojtarëve, i cili dje ka ngritur trofeun me Al Ittihadin. Shumë diskutime ka pasur në mediat shqiptare nëse Mario Mitaj bëri kalimin apo jo të duhur për të ikur në Arabinë Saudite. 

Por koha i dha të drejtë Mitajt që po vuante racizmin në Rusi dhe nuk po aktivizohej në klubin e tij, ndërsa më pas kaloi te skuadra ku luante Kante dhe Benzema, për të fituar atje titullin kampion dhe për të lënë pas vetes shumë yje të tjerë si Kulibali, Cristiano Ronaldo, Mahrez dhe emra të tjerë të njohur. 

Al Ittihadi fitoi 1-0 edhe në ndeshjen e djeshme kundër Damac, e fundit e kampionatit, duke tejkaluar me 8 pikë diferencën me vendin e dytë, atje ku ndodhej Al Hilal. Në fund është ngritur edhe trofeu në një stadium të stërmbushur nga tifozët e Al Ittihad që e kthyen në festë të madhe. 

Vetëm pak lojtarë kishin marrë flamujt e shteteve të tyre me vete për të festuar këtë trofe. Por Mario Mitaj, ishte pikërisht mes atyre pak lojtarëve dhe për këtë meriton shumë duartrokitje. Një patriot i madh, teksa kishte edhe një detaj të bukur nga “princi shqiptar”. Një flamur i madh i Shqipërisë valvitej në shpinën e Mitajt, ndërsa në pjesën e poshtme të tij ishte pikërisht figura e Mario Mitajt që gjendej duke festuar me shqiponjën. 

Një shqiponjë e cila verbon sytë e serbëve dhe që për serbët është gjithmonë një provokim. Por portieri i Serbisë te Al Ittihad, Rajkovic, duhej ta duronte në natën e djeshme shqiponjën e Mario Mitajt pasi askush nuk mund t’ia hiqte mbrojtësit tonë atë simbol nga shpina e tij. Është vetëm 21-vjeç, por më shumë sesa Mario, faktin e të qenit shqiptar dhe vështirësitë e kaluara nga kombësia në Greqi, Rusi, pak edhe në Arabinë Saudite, nuk i ka kaluar askush dhe për këto simbole, do të luftojë fort. /Sport Ekspres/