Enea Jorgji me një trupë arbitrash shqiptar gjykojnë në raundin e tretë të UEFA Conference League

Arbitrat shqiptarë vijojnë të konfirmojnë vlerësimin e UEFA-s me emërime të rëndësishme në kompeticionet europiane.

Arbitri ndërkombëtar Enea Jorgji është caktuar nga UEFA për të drejtuar ndeshjen e raundit të tretë kualifikues të UEFA Conference League mes Debreceni VSC (Hungari) dhe FC Copenhagen (Danimarkë), e cila do të zhvillohet më 6 gusht, duke nisur nga ora 19:00, në Debrecen.

Jorgji do të ketë në ndihmë një trupë tërësisht shqiptare arbitrash. Denis Rexha dhe Xhulio Mani do të jenë arbitra asistentë, ndërsa Olsid Ferataj do të kryejë detyrën e arbitrit të katërt. Në sistemin VAR do të jetë italiani Daniele Doveri, i asistuar nga arbitri shqiptar Albert Doda në rolin e AVAR.

Ky emërim përbën një tjetër vlerësim të rëndësishëm për arbitrimin shqiptar dhe dëshmon besimin e vazhdueshëm që UEFA u jep arbitrave tanë për drejtimin e ndeshjeve në kompeticionet më prestigjioze europiane.

Angazhimi i vazhdueshëm i arbitrave shqiptarë në ndeshjet ndërkombëtare është rezultat i punës, përgatitjes profesionale dhe zhvillimit të vazhdueshëm të arbitrimit në vend, ndërsa njëkohësisht rrit edhe më tej përfaqësimin e futbollit shqiptar në arenën europiane.