Klubi i Tiranës ka denoncuar skena dhune në ndeshjen kundër Vllaznisë në futbollin e fermave. Ndeshja u ndërpre në minutën e 22-të dhe bardheblutë kanë njoftuar në faqen zyrtare në “Facebook” se drejtuesit e Vllaznisë janë afruar pranë pankinës së tyre dhe kanë ushtruar dhunë. Klubi kryeqytetas njofton se pre e dhunës kanë rënë drejtoresha Edona Aliaj, portierja Delvina Dyrmishi dhe futbollistja Flondra Behrami. Përmes reagimit të zyrës për shtyp, Tirana kërkon dënimin për përgjegjësit e këtyre akteve që nuk i takojnë aspak botës së sportit, e aq më pak në futbollin e femrave.
“Ditën e sotme ishte planifikuar të luhej ndeshja KF Tirana Femra – KF Vllaznia Femra, në kompleksin “Skënder Halili”. Në këtë takim, klubi shkodran nuk ka lejuar që ndeshja të luhet, duke dhënë shembullin më të keq, në një vend ku futbolli i femrave po zhvillohet dhe për më tepër që dy skuadrat ishin duke zhvilluar kampionat me pikë të plota dhe duke ndarë vendin e parë. Në minutën e 22-të ndeshja është ndërprerë, pasi skuadra kundërshtare ka reaguar ndaj pankinës sonë, fillimisht duke sharë e duke fyer, e më pas duke kaluar edhe në dhunë fizike.
Situata ka eskaluar, ku drejtuesit e Vllaznisë Femra, janë larguar nga pankina e tyre dhe kanë ardhur në pankinën e skuadrës së Tiranës dhe kanë nisur të shfaqin akte të tmerrshme dhune e të godasin stafin teknik, drejtuesit e klubit të Tiranës Femra si edhe futbollistet. Klubi i Vllaznisë Femra ka dhunuar barbarisht drejtoreshën e klubit të Tiranës, Edonisa Aliaj, portieren Delvina Dyrmishi dhe futbollisten Flondra Behrami. Dhuna ndaj grave edhe vajzave është një shkelje e përhapur e të drejtave të njeriut dhe një problem global i shëndetit publik me përmasa epidemike. Ne si klub, presim zbardhjen e kësaj çështjeje nga organet kompetente dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë deri sa ngjarja të zbardhet plotësisht e aktorët që po shkatërrojnë futbollin “Fair Play”, të marrin dënimin e merituar. Asnjë justifikim për dhunën ndaj vajzave dhe grave! Asnjë justifikim për dhunën në sport”, ka njoftuar zyra për shtyp e klubit Tirana./Halit Delibashi-Sport Ekspres/