Goditje e madhe për Shqipërinë! Ernest Muçi nuk ia del, luajmë pa yllin tonë kundër Bjellorusisë

Shqipëria do të ketë një mungesë shumë të rëndësishme në ndeshjen e sotme kundër Bjellorusisë. Ernest Muçi nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Rolando Maran për këtë takim, pasi ka pësuar një dëmtim në përballjen e fundit ndaj Finlandës.

Sulmuesi kuqezi mori një goditje gjatë ndeshjes me finlandezët, ku ishte protagonist absolut, duke realizuar një gol të bukur në fitoren 2-0 të Shqipërisë. Megjithatë, një ndërhyrje e fortë e kundërshtarit në pjesën e dytë la pasoja te futbollisti, i cili nuk arriti të rikuperohej në kohë për sfidën e radhës.

Shqetësimi për gjendjen e Muçit u bë i dukshëm që në seancën stërvitore të zhvilluar përpara takimit me Bjellorusinë. Futbollisti nuk u bashkua me pjesën tjetër të skuadrës në fushë, por zhvilloi vetëm disa ushtrime në palestër, me vendimin e stafit mjekësor për ta mbajtur pushim si masë parandaluese. Megjithatë, vlerësimi përfundimtar ka qenë negativ dhe Muçi nuk do të jetë pjesë e listës së lojtarëve që do të zbresin në fushë këtë të diel.

Kjo është një mungesë e madhe për kuqezinjtë, duke parë formën që po kalonte sulmuesi i Trabzonspor. Muçi ishte një nga lojtarët më të spikatur në ndeshjen me Finlandën dhe prania e tij në repartin ofensiv do të ishte një armë e rëndësishme për Shqipërinë. Por problemet për Maran nuk përfundojnë këtu. Përveç Muçit, tekniku italian nuk do të ketë në dispozicion as Ylber Ramadanin, i cili mungon për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve. Shqipëria do të kërkojë të bëjë detyrën përballë Bjellorusisë, por tashmë duhet ta bëjë këtë pa dy futbollistë të rëndësishëm. /Sport Ekspres/