“Urime Egnatia, urime Rrogozhinë”! Armand Duka beson te kualifikimi: Egnatia mund t’ja dalë

Egnatia ia ka dalë të marrë sot fitoren kundër Breidalbikut në ndeshjen e vlefshme për turin e parë kualifikues të Champions League-s. Triumfi i sotëm bën që kampionët e “Abissnet Superiore”-s të shkojnë më të qetë në ndeshjen e kthimit në Islandë dhe me shanse më të mëdha për të prerë biletën për në turin e dytë. Kualifikimin e beson edhe Armand Duka, i cili ka uruar Egnatian përmes llogarisë së tij në “Facebook”.

“Urime Egnatia, urime Rrogozhinë! Kënaqësi të shohësh një ekip shqiptar të fitojë një ndeshje kualifikuese në UEFA Champions League, në një ndeshje historike për vetë faktin që Egnatia luante në shtëpi të parën ndeshje ndërkombëtare.

Fitorja e sotme 1-0 ndaj Bredablik është shumë e rëndësishme dhe tashmë janë edhe 90 minuta të tjera për t’u luajtur për të siguruar kualifikimin në raundin e dytë.

Shpresojmë shumë dhe besojmë që Egnatia mund t’ia dalë, sikurse besojmë shumë që mund ta bëjnë të njëjtën gjë edhe Partizani e Vllaznia që luajnë të enjten”, ka shkruajtur Armand Duka./Sport Ekspres/