Përgjegjësi i Sektorit të Portierëve në FSHF, Erion Meta, në një prononcim për fshf.org, ka folur për risitë e sezonit dhe për nisjen e kursit më të ri UEFA Goalkeeper A, që po organizohet për herë të parë në Shqipëri.
Erion Meta e cilëson këtë një mundësi të jashtëzakonshme, që do t’i shërbejë rritjes profesionale të trajnerëve të portierëve dhe forcimit të standardeve të punës në të gjitha nivelet. Ai shton se ky kurs do të mbulojë çdo aspekt të rolit të portierit në futbollin modern dhe do të ketë lektorë të njohur ndërkombëtarë nga klube të mëdha si Real Madrid, Liverpool, Inter e Juventus.
“Area Goalkeeping” ka pasur disa risi gjatë këtij sezoni. Një nga ato është fillimi i kursit më të ri për zhvillimin e trajnerit të portierëve UEFA Goalkeeper A Diploma. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme që UEFA i ka dhënë Federatës tonë për të nisur këtë kurs elitar me rëndësi të veçantë për të gjithë specialistët e portierëve në Shqipëri.
Programi do të mbulojë çdo aspekt të rolit të portierit dhe trajnerit të tij në futbollin modern. Nga këndvështrimi taktik te menaxhimi psikologjik dhe analiza e performancës në kontekst ekipor. Kursi do të përfshijë specialistë të njohur ndërkombëtarë nga klube si Real Madrid, Liverpool, Inter apo Juventus” – thotë Erion Meta, i cili ndalet edhe te projektet që po zhvillohen në bashkëpunim me Drejtorinë Teknike, si dhe planifikimi i seminareve të reja me ekspertë të huaj.
“Paralelisht, po bashkëpunojmë në kuadër të projektit “Coach Video Project”, një nismë e Drejtorisë Teknike për të prodhuar materiale didaktike që do të jenë në dispozicion të gjithë trajnerëve në rang kombëtar.
Në të njëjtën kohë kemi filluar planifikimin për sezonin e ardhshëm, ku janë parashikuar tre seminare me të ftuar ndërkombëtarë, që do të sjellin vlerë të shtuar në rritjen profesionale të trajnerëve të portierëve që operojnë në rang kombëtar, sidomos ata që punojnë në akademi me grupmosha të ndryshme” – tha Përgjegjësi i Sektorit të Portierëve në FSHF, Erion Meta.