Mbrëmje historike për Dinamon. Klubi shqiptar arrin për të parën herë në “play off” të Ligës së Konferencës. “Nëndetësja” ka bërë mrekullinë në “Air Albania”, teksa ka eleminuar pastër Hajdukun e Splitit. Zabërgja tundi rrjetën në minutën e 14, duke shënuar golin e vetëm të kohës së rregullt.
Me rezultatin e përgjithshëm 2-2, skuadrat iu drejtuan 30 minutave të kohës shtesë. Pavarësisht se në disavantazh numerik që nga minuta e 78, kroatët arritën të barazonin përkohësisht. Karaxhiçi tundi rrjetën në minutën e 99, por supergoli i Qardakut në të 109-n dhe Berisha në minutën e 111 vulosën kualifikimin e Dinamos. Ekipi i Ilir Dajës mund kështu Hajdukun e Splitit me shifrat 3-1, duke shkuar vetëm një hap larg grupeve të Ligës së Konferencës./Sport Ekspres/