Largimi i Lionel Messit nga Kombëtarja e Argjentinës ka hapur një diskutim të madh për atë se kush duhet të trashëgojë fanellën ikonike me numrin 10. Për këtë çështje ka folur edhe kapiteni i ri i “Albiceleste”, Cristian Romero, i cili duket se e ka të qartë zgjedhjen e tij. Mbrojtësi i Tottenhamit nuk ka pasur asnjë dyshim kur është pyetur se kush duhet të marrë numrin që për vite me radhë është mbajtur nga një prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e futbollit.
“Po të varej vetëm nga unë, fanellën me numrin 10 do t’ia jepja Julian Alvarez. Për këtë nuk kam asnjë dyshim”, është shprehur Romero. Megjithatë, sulmuesi i Atletico Madridit preferon të vazhdojë me numrin e tij të zakonshëm, 9, duke ruajtur profilin e tij modest. Romero mendon se kjo fanellë duhet t’i besohet një futbollisti me përvojë në kombëtare, pasi përgjegjësia është shumë e madhe për lojtarët e rinj. Vendimi përfundimtar pritet të merret gjatë këtij muaji, kur Argjentina do të luajë dy miqësore ndaj Uruguait dhe Kosta Rikës. /Sport Ekspres/