Federata e Futbollit do të organizojë në muajin dhjetor edicionin e katërt të aktivitetit “Open Stage”, një nismë që tashmë është kthyer në traditë dhe synon të afrojë pranë ekipeve kombëtare talentet e reja shqiptare që jetojnë jashtë vendit.

Aktiviteti u drejtohet futbollistëve të lindur në vitet 2011, 2012 dhe 2013, të cilët jetojnë në Europë, SHBA dhe vende të tjera të botës. Përmes seancave stërvitore dhe vlerësimit nga stafi teknik i FSHF-së, synohet evidentimi i talenteve të reja dhe identifikimi i lojtarëve me potencial për t’u integruar në ekipet kombëtare të moshave.

Seancat do të zhvillohen në ambientet e Shtëpisë së Futbollit në Tiranë, sipas këtij kalendari:
* 7 dhjetor – Futbollistët e lindur në vitin 2011, ora 09:00
* 8 dhjetor – Futbollistët e lindur në vitin 2012, ora 09:00
* 9 dhjetor – Futbollistët e lindur në vitin 2013, ora 09:00
*
Të gjithë futbollistët e interesuar duhet të paraqiten me certifikatë mjekësore dhe leje nga klubi ku janë të regjistruar.

Aplikimet për pjesëmarrje janë të hapura deri më 1 dhjetor 2026. Futbollistët që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtij aktiviteti duhet të plotësojnë formularin e aplikimit dhe ta dërgojnë në adresën e e-mail-it: [email protected] .

Përmes “Open Stage”, FSHF vijon të forcojë lidhjen me futbollistët e rinj shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, duke u krijuar mundësinë të tregojnë potencialin e tyre dhe të afrohen me fanellën kuqezi.

FORMULAR REGJISTRIMI OPEN STAGE (1)