Mediat në Kroaci janë ndalur gjatë te shkrimet e mediave shqiptare për Ilir Dajën, veçanërisht në shkrimet e ardhura nga Sport Ekspres. “Njeriu që eleminoi Hajdukun është një hero në Shqipëri. Daja është specialist për ekipet e Kroacisë, shqiptarët e duan gjithashtu në stolin e Shqipërisë”, ishte titulli i hapur nga Sportske.Jutarnji.
Nga ana tjetër, media tjetër kroate, Index.hr e hap shkrimin me titullin: “Shqiptarët e adhurojnë trajnerin e tyre. Hajduku hodhi në fushë edhe një lojtar të Milanit”. Në këto shkrime tregohet pasqyrimi i ndeshjes i bërë nga Sport Ekspres, ndërsa mediat kroate theksojnë faktin se Ilir Daja ka eleminuar më parë edhe Dinamo Zagrebin me Skënderbeun duke hyrë në fazën e grupeve të Europa League.
Madje Ilir Daja e mundi Dinamo Zagrebin edhe me Ballkanin në fazën e grupeve të Conference League, 2-0, ndërsa në transfertë humbi 3-0. Më pas mediat kroate tregojnë se në Shqipëri e duan Ilir Dajën që të jetë trajneri i Kombëtares. Kështu ata i pasqyrojnë edhe publikut të tyre se i mundi një trajner që në Shqipëri është kthyer në një model.
Por jo vetëm kaq, një legjendë e Hajdukut, Vladimir Balic, i ka bërë elozhe të mëdha Ilir Dajës. Teksa ka bërë analizën e ndeshjes dhe humbjen e Hajdukut në mediat kroate, ai tha se merita i shkon trajnerit të Dinamos për atë kualifikim në Air Albania.
“Të mbështesësh Hajdukun është si të shkosh te dentisti, e di që do të të dhembë, por të bëjnë një injeksion dhe me kalimin e kohës mpihesh. Dinamo City tregoi që në fillim se e kuptuan që e vetmja mënyrë që mund të ndiqnin për të kaluar ishte fanatizmi.
Që në fillim, cdo lojtar i Dinamos, vraponte me fanatizëm, ishin agresivë dhe luftarakë. Ata e hoqën topin shumë shpejt nga kundërshtari, gjë që trajneri i tyre, përmes disa analizave, padyshim e pa si çelësin për të fituar këtë ndeshje. Lojtarët ndoqën vazhdimisht idetë e tij dhe përfundimisht ia dolën mbanë. Ata ishin shumë mbresëlënës në vertikalizëm dhe shumë atletë, vraponin pafundësisht”, tha legjenda e Hajdukut, ish-portieri Balic duke vlerësuar akoma më shumë punën e bërë nga Ilir Daja. /Sport Ekspres/