Një situatë e rrezikshme për atmosferën e Kosovës vjen pak ditë para ndeshjeve të tetorit. Dardanët arritën të mposhtin Suedinë në shtator pas humbjes me Zvicrën dhe në tetor do të luajnë dy finalet e fundit.
Themi kështu pasi me siguri këto do të jenë vendimtaret për të përcaktuar përfundimisht rrugën e dardanëve. Në fillim Kosova pret Slloveninë në shtëpi atje ku hapi i gabuar është i ndaluar, kërkohet vetëm fitorja, por problemi më i madh qëndron në ndeshjen e pas tre ditëve, në 13 tetor kundër Suedisë.
Nëse Suedia fiton pastër me Kosovën në shtëpi, atëherë shpresat për Kosovën shuhen. Nëse Kosova del me një pikë apo me një humbje minimale, lë të hapur rrugën deri në fund duke shpresuar edhe në disa kombinime rezultatesh. Por problemi qëndron në lajmin e publikuar nga Tuttosport.
Sipas medias italiane, Edon Zhegrova është projektuar për titullar në ndeshjen Juventus-Milan që do të zhvillohet në këtë fundjavë. Por sipas tyre, Edon Zhegrova nuk do të grumbullohet nga Kosova pasi kërkon që të ambientohet më shumë te Juventus dhe të përfitojë nga pushimi i Kombëtareve për të qenë sa më në formë për Juventusin. Në një moment të tillë, nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë do të prishte gjithë atmosferën mes polemikash te Kosova. /Sport Ekspres/