Kombëtarja U-17 e vajzave e mbylli me fitore raundin e parë të kualifikueseve të Europianit 2027 për këtë grupmoshë, duke triumfuar me rezultatin 7-2 ndaj Azerbajxhanit në stadiumin “Niko Dovana”.
Trajnerja Cyme Lulaj e nisi ndeshjen me këtë formacion: Haxhija (GK), Jahelezi, Gola, E. Hasanaj, T. Hasanaj, Hoxha, Maksuti, Kola, Wintz, Kuka, Kronaj.
Në pjesën e dytë u aktivizuan gjithashtu Celaj, Ahmetaj, Cifliku, Avdiaj dhe Kore.
Vajzat kuqezi zhvilluan një ndeshje të mirë dhe dominuan takimin, duke shënuar shtatë gola dhe duke siguruar një fitore të rëndësishme në përballjen e fundit të këtij raundi.
Shqipëria e nisi menjëherë në avantazh, me Kukën, e cila shënoi në minutën e 4-t. Wintz realizoi dy herë, në minutat 27 dhe 43, ndërsa Hoxha shënoi dy gola të tjerë në minutat 47 dhe 75. Në listën e golashënueseve u regjistruan edhe E. Hasanaj në minutën e 70-të dhe T. Hasanaj në minutën e 84-t.
Azerbajxhani shënoi dy herë, me Salimi në minutën e 25-të dhe Samadli nga pika e bardhë në minutën e 39-të, por Shqipëria reagoi dhe në pjesën e dytë thelloi avantazhin për të siguruar fitoren 7-2.
Me këtë rezultat, Shqipëria e mbyll raundin e parë me 4 pikë, duke u renditur në vendin e dytë në Grupin B1, pas Irlandës që e përfundoi fazën me 9 pikë. Kosova gjithashtu grumbulloi 4 pikë, ndërsa Azerbajxhani e mbylli grupin pa pikë.
Kjo fitore është një mbyllje pozitive për Kombëtaren U-17 të vajzave në këtë raund, pas dy ndeshjeve të para ndaj Kosovës dhe Irlandës.