Nga futbollisti më i kritikuar pas asaj humbjeje të penalltisë kundër Serbisë u kthye në hero. Historia mori një rrjedhë tërësisht të kundërt në vetëm pak muaj për Rei Manajn. Sulmuesi shqiptar e shleu në fushën e lojës penalltinë e humbur, po përsëri kundër Serbisë. Goli i tij në Leskovc i dha Shqipërisë një fitore historike, e cila mund t’i dërgojë në ‘play off’ për në Kupën e Botës 2026. Në një rrëfim për “FSHF TV”, Manaj ka rrëfyer përjetimin e tij në këtë ndeshje dhe arsyen përse zgjodhi të festonte me shqiponjë.
“Ashtu ishte e shkruajtur. Zoti kishte një plan tjetër. Normalisht që e kisha menduar që do të shkonim në Serbi për të fituar ndeshjen. Por edhe po të mos e kisha bërë golin unë, por ta kishte bërë dikush tjetër, do të isha akoma më i kënaqur. Rëndësi ka që morëm 3 pikët dhe bëmë historinë.
Festa me shqiponjë? Ishte moment rastësor. E dimë që është një ndeshje shumë kritike për të dyja palët. Si profesionist nuk më pëlqen as të provokoj, as të bie pre e provokimeve. Doja të festoja me shqiponjë për të gjithë shqiptarët dhe kosovarët për t’i dhënë një krenari. Kjo ishte gjëja më e rëndësishme për mua. Të gjithë lojtarët duhet ta shijojmë këtë moment. Unë e shijova shumë dhe do vazhdoj ta shijoj. Por duhet t’i mbajmë këmbët përtokë. Na presin dy ndeshje shumë të rëndësishme për të bërë ëndrrën realitet”, ka deklaruar Rei Manaj./Sport Ekspres/