Serbia është kualifikuar pas 14 vitesh në finalet e një kampionati Europian. Ashtu si edhe Shqipëria, në datën 2 dhjetor do të mësojë emrat e kundërshtarëve që do të ketë në Gjermani. Shanset janë që të dyja skuadrat të shortohen në të njëjtin grup. Një skenar që nuk është i mirëpritur për kreun e Federatës Serbe të Futbollit. Në një intervistë për “Sportal”, Dragan Xhajiçi ka thënë se Shqipëria, ndër të tjera, është një ekip i vështirë që mund të hapë probleme.
“Të gjithë kemi të drejtën e dëshirave, por dëshirat janë një gjë dhe realiteti tjetër. Kushdo që të shortohet me ne është një kundërshtar i fortë. Nuk mund t’i them jo vetëm Gjermanisë, Spanjës, Francës. Janë të vështira, por edhe Rumania, Zoti na ruajt, Shqipëria… Të gjitha mund të na shkaktojnë një problem. Ne duhet të vlerësojmë sukseset tona dhe lojtarët tanë, por le të mos mbivlerësojmë. Ne duhet të jemi realistë në mënyrë që të bëjmë atë hap përpara”, është shrehur Dragan Xhajiçi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/