Shqipëria humb identitetin në mbrojtje dhe nuk ka ide në sulm, një shqiptar na mposht në “Air Albania”

Dy ndeshje, dy humbje. Kështu nis aventura e Rolando Maranit në krye të Shqipërisë. Kuqezinjtë, ashtu si pak ditë më parë, janë mposhtur me shifrat minimale 0-1. Këtë herë humbja ka ardhur përballë Luksemburgut.

Miqtë i befasuan të gjithë që në minutat e para të lojës, kur edhe Sinani gjeti rrugën e rrjetës. Një driblim me lehtësi i 3 lojtarëve shqiptarë dhe më pas Sinani nuk gaboi me gjuajtjen. Një shqiptar arriti të shënonte në minutën e 8 të lojës, por fanella që mbante veshur nuk ishte ajo kuqezi, ishte fanella e Luksemburgut.

Shqipëria provoi të gjente golin, por të besuarit e Maranit i kishin idetë të paqarta në sulm. Përpos problemeve me gjetjen e zgjidhjeve në metrat e fundit të fushës, Kombëtarja shfaqi probleme edhe në atë që për vite shihej si pika jonë më e fortë, në fazën mbrojtëse. Kundërshtarët dilnin lehtësisht në kundërsulm, duke nxjerrë në pah jo pak defekte të kuqezinjve./Sport Ekspres/