U mund me 3 gola nga ekipi i vendit të 15, Jashari: Luajtëm kundër një skuadre angleze, e vështirë kundër tyre

Milani u mposht me shifrat 3-0 nga Bournemouth-i mbrëmjen e djeshme. Gjigantët e Italisë zhgënjyen në Europë përballë ekipit që renditet në vendin e 15 në Premier League. Ardon Jashari ka pranuar pas ndeshjes se ishte një mbrëmje për t’u harruar. Mesfushori shqiptar u shpreh se ishte e vështirë të përballeshe me Bournemouth-in, aq më tepër për mënyrën se si shkoi loja.

“Humbëm dhe është një mbrëmje për t’u harruar për të gjithë. Por në të njëjtën kohë, duhet të mësojmë nga kjo përvojë dhe të kuptojmë se çfarë ndodhi. Luajtëm kundër një skuadre angleze. Gjërat ishin ndryshe nga zakonisht dhe situata ishte shumë e ndërlikuar.

Na mungoi mentaliteti i duhur për të qenë në lartësinë e duhur që nga sekonda e parë dhe për të luftuar. Nuk dua të them se nuk ishim gati, por në duelet e para ata ishin më të fortë. Pas penalltisë së parë gjithçka u bë e vështirë, pasi askush nuk e priste. Dhe pas golit të dytë, shoqëruar me kartonin e kuq ndërkohë që ishim ende në minutën e njëzetë, u bë shumë e vështirë të riktheheshim në lojë. Ishte e vështirë të përballeshe me Bournemouth-in, veçanërisht kur mbetëm me një lojtar më pak”, ka deklaruar Ardon Jashari./Sport Ekspres/