Vllaznia nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola ndaj Laçit, në përballjen e vlefshme për javën e 13-të të Abissnet Superiore. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” përfundoi 0-0, me shkodranët që humbasin mundësinë për të marrë tri pikët përballë skuadrës së fundit në renditje.
Në letër, ekipi i drejtuar nga Csaba Laszlo shihej si favorit për këtë takim, duke marrë parasysh diferencën në objektiva dhe pozicionin e Laçit në klasifikim. Megjithatë, fusha tregoi një histori tjetër.
Vllaznia ishte dukshëm më kërkuese dhe krijoi disa raste të rrezikshme, por mungesa e konkretizimit rezultoi vendimtare. Kuqeblutë goditën edhe shtyllën me Latifin në pjesën e parë, ndërsa patën mundësi të tjera për të zhbllokuar rezultatin. Edhe Laçi pati momentet e veta, duke rrezikuar portën shkodrane me një goditje të Kurtit, që u ndal nga traversa pas devijimit të portierit Jukaj.
Në fund, asnjëra prej skuadrave nuk arriti të gjente golin, duke ndarë nga një pikë. Pas 13 javësh kampionat, Vllaznia ngjitet në kuotën e 16 pikëve dhe mban vendin e shtatë, ndërsa Laçi shkon në 12 pikë dhe vijon të mbetet në fundin e tabelës. Një barazim që nuk i shërben shumë asnjërës prej skuadrave. /Sport Ekspres/