“Dua ta mbyll karrierën te Napoli”, Rrahmani befason me zgjedhjen: Titulli i dytë më pëlqeu më shumë se i pari

Amir Rrahmani është një nga pikat kyçe të ekipit të Napolit. Në një intervistë të dhënë për “Radio Kiss Kiss Napoli”, mbrojtësi shqiptar ka shprehur dëshirën për ta përfunduar karrierën me fanellën e kaltër. Më tej ai ka befasuar opinionin sportiv, duke zgjedhur titullin e dytë kampion si të preferuarin e tij. Megjithëse titulli i parë erdhi pas shumë viteve mungesë, i dyti i ka shijuar më shumë për faktin se u fitua në ndeshjen e fundit.

“Është një fanellë që përfaqëson një qytet, një popull, dhe natyrisht përgjegjësitë janë të mëdha, siç ndodh edhe te skuadrat e tjera të mëdha. A kam një titull të preferuar? Po, i dyti, sepse u fitua në ndeshjen e fundit. Por edhe i pari ishte shumë i bukur, pasi erdhi pas kaq shumë vitesh.

Do të ishte bukur ta përfundoja karrierën te Napoli, por nuk e dimë se sa gjatë do të vazhdoj të luaj. E përsëris, do të ishte bukur ta mbyllja karrierën këtu, sepse kam kaluar shumë vite këtu. Dy tituj kampionë, një Superkupë, siç e thashë edhe më parë, por në futboll nuk i dihet kurrë. Megjithatë, le të shpresojmë”, ka thënë Amir Rrahmani./Sport Ekspres/