Tifozët sot kanë në dorë të shkatërrojnë karrierën e një lojtari. Ndryshe nga më parë, tanimë është më shumë i dukshëm ndikimi i tifozëve karshi ecurisë së një futbollisti. Vite më parë ishte Bendter që e provoi, pa harruar Maguire, tanimë Onana, por edhe pak sezone më herët Granit Xhaka te Arsenali.
Shpeshherë tifozët e ekipeve në Angli zgjedhin një lojtar nga skuadra e tyre për ta “mas.akruar” me komente negative. Te Chelsea e kanë bërë zgjedhjen e tyre për këtë sezon, Armando Broja. Madje situata shkoi deri aty aq sa shumë tifozë të Chelsea po shpërndanin pamjet e një aksioni kundër Fulham me mbishkrimin: “Armando Broja, sa skandaloz që je”. (Kjo temë u trajtua në emisionin Koha Shtesë)
Rasti i referohej një mundësie të shpërdoruara të Madueke pas pasimit të bukur të Palmerit, ndërkohë që Broja në atë moment ishte ulur në stol nga Pochetino. Kjo tregon saktësisht “fiksimin” e tifozëve të Chelsea për të kritikuar gjithçka, shpeshherë edhe më kot e pa arsye. Nëse do t’i bazohemi statistikave, në tre ndeshjet e fundit ku Armando Broja ka luajtur nga minuta e parë pas largimit të Jackson në Kupën e Afrikës, Chelsea ka fituar të tre takimet. /Sport Ekspres/