Trajneri Silvinjo komenton shortin e Nations League: Grupi i fortë & i vështirë, por i bukur dhe i ekuilibruar

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka komentuar shortin e hedhur nga UEFA për edicionin e katërt të Ligës së Kombeve 2024-25, që e vendosi Shqipërinë në Grupin B1 përballë Çekisë, Ukrainës e Gjeorgjisë,

Duke folur për Fshf.org, trajneri Silvinjo vlerësoi grupin dhe kundërshtarët, ndërsa theksoi se është një grup i fortë, fizik dhe i vështirë, por në të njëjtën kohë edhe i bukur. “Është gjithmonë nder të jesh këtu dhe të marrësh pjesë në një short të bukur si ky i sotmi. Kishte shumë njerëz dhe skuadra të rëndësishme këtu. Nuk është e thjeshtë, është një grup i vështirë. Nuk është e thjeshtë, të gjithë po rriten shumë. Kemi luajtur së fundmi me Çekinë, një skuadër e fortë. Gjeorgjia po ashtu, një ekip që po rritet shumë. Ashtu edhe Ukraina. Është një grup i fortë, fizik dhe i vështirë, por i bukur. Ecim përpara” – tha tekniku brazilian, i cili teksa shpalos objektivat e skuadrës, nënvizon se Kombëtarja shqiptare është e barabartë me të gjitha ekipet.

“Ne duhet të luajmë. Është një kompeticion i vështirë. Gjithçka luhet brenda tre muajve, shtator-tetor-nëntor. Ky është një moment tjetër në jetën tonë për të bërë një përpjekje të madhe për të luajtur dhe për të provuar. Mendoj se jemi të barabartë me të gjithë ekipet. Është një grup i vështirë, por shumë i ekuilibruar” – u shpreh trajneri Silvinjo për fshf.org.