Drilon Hazrollaj është një nga talentet shqiptare më premtues. Sulmuesi po shkëlqen me fanellën e Malishevës dhe ka tërhequr vëmendje të madhe me golat dhe asistet e tij. Së fundmi është përfolur edhe për një ofertë zyrtare prej 1.7 milionë eurosh nga një klub rus, çka do të vendoste rekordin e transferimit në Kosovë.
Hazrollaj ka refuzuar disa herë ftesën e përfaqësueses U21 të Kosovës dhe sipas “Fansat e Futbollit Shqiptar” i ka pohuar Alban Bushit se do të vishet kuqezi. Por dëshira e tij ka vënë në lëvizje Agim Ademin. “Fansat e Futbollit Shqiptar” shton se kreu i FFK-së po bind trajnerin Foda që ta bëjë pjesë të Kosovës në ndeshjet e muajit mars. Në këtë mënyrë 20-vjeçari mund të joshet nga ekipi A i Kosovës. Aktivizimi i tij në muajin mars do t’i hiqte përfundimisht mundësinë për të veshur fanellën kuqezi të Kombëtares shqiptare./Halit Delibashi-Sport Ekspres/