Kukësi mori një triumf të bujshëm kundër Partizanit në Kupën e Shqipërisë. Vendi i fundit në Superiore, arriti që të kalojë pretendentët për titullin kampion dhe kështu arriti në fazën gjysmëfinale.
Megjithatë festa ka përfunduar dhe lufta e vërtetë për verilindorët fillon nga kjo javë. Për momentin Kukësi ka 19 pikë dhe është 11 pikë larg Laçit që ndodhet në vendin e 7, në zonën e qetë ku shpëton nga rënia.
Ndeshja e radhës për Kukësin do të jetë pikërisht ajo kundër Laçit. Nëse arrijnë që të fitojnë, do të hapnin një histori të re dhe të shtonin kaosin në vendet e fundit, për të shtuar garën sa i përket mbijetesës. Por nëse Laçi do të fitojë këtë përballje, do të ishte një goditje e madhe për Kukësin që do t’i largohej mundësisë për të qëndruar në elitë. /Sport Ekspres/