Derbi i kryeqytetit ka përmbyllur javën e 28 të “Abissnet Superiores”. Tirana ka mposhtur Dinamon me rezultatin 3-2. Bardheblutë kaluan në avantazh të parët me anë të Nikqit në minutën e 7 të takimit, ndërsa më tej në listën e golashënuesëve u futën edhe Latifi (18’ p.) me Jonuzin (79’). Ndërkohë në krahun dinamovit ishte Qefalija ai që e dërgoi topin dy herë në rrjetë, fillimisht në minutën e 69 dhe më pas në të 77-n. Një fitore mjaft e rëndësishme për Tiranën, që tani shkon vetëm 1 pikë larg Skënderbeut të vendit të katërt. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë përshtypjet e tyre të para për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Fagu (Tirana): “Dua t’i komplimentoj lojtarër për paraqitjen e sotme. Pjesën e parë e dominuam, 2-0. Për mendimin tim rezultatin 2-0 është më i rrezikshmi. Një gol të pësosh, ekipi futet në presion. Ashtu siç ndodhi, na barazuan. Por reaguam dhe shënuam golin e tretë. Nuk kishte udhëzim që të tërhiqeshim për shkak të rezultatit. Por ashtu vjen loja vetë, ndoshta duket sikur jemi tërhequr. Nuk donim të rrezikonim me Najdovskin. Ka shumë kohë pa u aktivizuar. Doja të ndërhyja pak më shpejt se pësimi i golave me zëvendësimet. Golat e pësuar janë pak çështje psikologjike. Bëjmë gabime individuale, nuk është se çedojmë në aspektin e mbrojtjes. Objektivi jonë është ndeshja e radhës, me Teutën dhe pastaj me Skënderbeun, që duhet ta kalojmë. Akoma nuk mendoj për ‘final four’”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/