Janë luajtur mbrëmjen e sotme dy takimet e fundit të javës së 30 të “Abissnet Superiores”. Egnatia është mposhtur në minutat e fundit të ndeshjes nga Erzeni. Shijakasit e shfrytëzuan më së miri epërsinë numerike në fushën e lojës, teksa Spahiu la Egnatian me 10 lojtarë në minutën e 63-të. Erzeni gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 85, kur Zeka realizoi një gol spektakolar. Egnatia humbi kështu me shifrat 1-0 përballë Erzenit, por vazhdon të ruajë kreun e renditjes në Superiore.
Ndërkohë në Korçë Skënderbeu ka ndalur Tiranën në një barazim 0-0. Bardhekuqtë kanë luajtur me një lojtar më pak që nga minuta e 14, por kjo nuk i pengoi të largoheshin me një pikë nga stadiumi. Me këtë barazim, Skënderbeu shkon 2 pikë larg Dinamos së vendit të 4-t, ndërsa Tirana mbetet në vendin e 6 në renditje me 40 pikë të grumbulluara gjithsej. Më poshtë ndiqni intervistat e trajnerëve për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Fagu (Tirana): “Shpërdoruam shumë raste, sidomos në pjesën e dytë. Në pjesën e parë nuk kishim raste kontrete, përveç rastit të Patrikut në fund. Filloi pak tensioni i rezultatit. Skënderbeu po mbrohej mirë. U munduam të luanim nga krahët, pasi në qendër po mbroheshin mirë. Më vjen keq që nuk shënuam. Një skuadër kur luan me 10 vetë bëhet më e ekuilibruar se sa kur luan me numër të barabartë. Reaguam pak me vonesë. Ndryshuam skemën dhe filluam të kishim më tepër territorialitet. Kampionati po shkon drejt fundit. Nuk ka shumë ndeshje. Ka shumë pak pikë në lojë dhe llogaritë bëhen më lehtë. Ka pak presion për shkak të rezultatit. Po përpiqemi ta kalojmë sa më shpejt. Do të përpiqemi deri në momentin e fundit. Tre pikë janë (larg vendit të 4-t). Shpresoj të kthehemi te fitorja javën e ardhshme”.
Deliallisi (Erzeni): “Duhet të komplimentoj djemtë për ndeshjen që e realizuan deri në perfeksion. E neutralizuam tërësisht kundërshtarin, duke ditur edhe çfarë vlerash ka ai. I kisha ndarë lojtarët një kundër një. Lëvizja e topit te Engatia kishte intensitet të ulët dhe ishin të parrezikshëm. Prurjet e reja duan kohën e vetë. Tani kanë krijuar atë marrëdhënien e ngushtë. Mos të harrojmë që kemi afruar 11 lojtarë në merkaton e janarit. Jemi në lojë dhe matematika na lejon të arrijmë objektivin, të shpëtojmë nga rënia nga kategoria”.
Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Pas kartonit të kuq ishte shumë e vështirë për ne. Luajtëm mbi 75 minuta me 10 lojtarë. Humbëm edhe penallti dhe nëse shikoj rezultatin, jam i kënaqur, patjetër. Ishim shumë në ekuilibër. Ideja ishte të mbanim topin në gjysmëfushën e Tiranës. Kam shumë lojtarë në pankinë, por sot nuk kishim nevojë. Ishim mirë përpara. Nuk bëra zëvendësime sepse ishim në ekuilibër, ishim shumë mirë në mbrojtje dhe shumë të shpejtë në kundërsulm. Vendi i 4-t? Po, do të luftojmë deri në fund. Janë edhe 6 javë dhe 43 pikë ka Dinamo”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/