Vendim fantastik për Tiranën! Hidhet poshtë dënimi pa tifozë, do të jenë në stadium që kundër Partizanit

Një vendim fantastik ka ardhur për Tiranën nga Komisioni i Disiplinës. Pas ngjarjes së ndodhur në ndeshjen me Vllazninë, u vendos që bardheblutë të mbeteshin pa tifozë deri në fundin e kampionatit. Megjithatë sipas vendimit të fundit, pas apelimit që është bërë nga kryeqytetasit, dënimi ekstrem për Tiranën hidhet poshtë dhe bardheblutë do të kenë mundësinë që të shohin sërish tifozët e tyre që nga ndeshja me Partizanin. /Sport Ekspres/

Komisioni i Apelit pasi mori në shqyrtim ankimin e Klubit të Futbollit Tirana,

Vëren se:

Me vendimin nr.13, pika 1 datë 01.11.2024 Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka vendosur të marrë kundrejt KF Tirana, masat disiplinore si më poshtë vijon:

KF Tiranapër sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke mos garantuar sigurinë e lojtarëve të ekipit mik, në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/1, 17/2/b, 17/2/c dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë dhe zhvillimin pjesës së mbetur të ndeshjeve të sezonit futbollistik 2024-2025 pa spektatorë.

Më datë 09.11.2024 KF Tirana, ka paraqitur ankim me objekt:

  • Rrëzimin e Vendimit13, pika 1 datë 01.11.2024 të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës.

 

Komisioni i Apelit të Disiplinës dhe Etikës pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, dogjoi përfaqësuesit e Klubit të Futbollit Tirana, shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe diskutoi çështjen në tërësi si dhe duke u bazuar në nenet 65 e vijues të Kodit të Disiplinës dhe Etikës,

VENDOSI:

  1. Lënien në fuqi të masës së dënimit me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë.
  2. Ndryshimin e pjesës tjetër të vendimit duke vendosur:
  • Dënimin e Klubit të Futbollit Tirana për zhvillimin e të 8 (tetë) ndeshjeve pa spektatorë.
  • Pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit prej 5 (pesë) ndeshjesh.
  • Pezullimi i dënimit revokohet nëse gjatë periudhës së provës KF Tirana kryen një shkelje tjetër të natyrës dhe rëndësisë së ngjashme.
  • Periudha e provës do të jetë deri në përfundim të sezonit futbollistik 2024-2025.
  1. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS/TAS) Lozanë Zvicër.