Media në Greqi kritikon portierin e Shqipërisë: Thomas Strakosha nuk e ka justifikuar kurrë pagën te AEK

Thomas Strakosha u transferua me bujë të madhe te AEK. Nuk ndodh shpesh që një lojtar nga Premier League të shkojë në Greqi, ndërsa e kundërta, është më logjike. Por në pritshmëri të mëdha, edhe presioni rritet.

Disa gabime radhazi kanë bërë që Strakosha të ulet në stol dhe në vendin e tij të jetë Brignoli. Ndërkohë media në Greqi, “Koubanezos” ka kritikuar jo pak shqiptarin në një shkrim të fundit. “ Thomas Strakosha nuk e ka justifikuar asnjëherë pagën. Paraqitjet e tij me AEK-un nuk janë të përafërta me ato të një portieri që fiton 1.5 milionë euro dhe së fundmi portieri shqiptar është në stol.

Edhe pse Matias Almeida e mbështeti më shumë se çdo futbollist tjetër të tij. Pas humbjes nga Olympiacos në Kupën e Greqisë, Strakosa nuk i veshi sërish dorezat e titullarit, ndonëse në atë ndeshje po luante me një virus që e kishte pllakosur prej disa ditësh, duke humbur shumë seanca stërvitore”, shkruan media greke. /Sport Ekspres/