Euro U-17 2025/ Federata e Futbollit vijon me investimet në disa terrene stërvitore, përmirësohet fusha e stadiumit të Luzit

Investimet e FSHF-së në kuadër të organizimit të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025” vijojnë me ritme të larta. Përveç ndërhyrjeve në stadiumin “Tofik Jashari” në Shijak, Federata e Futbollit ka shtrirë punimet edhe në stadiumin e Luzit në Kavajë.

Ky impiant sportiv, që do të shërbejë si terren stërvitor për ekipet finaliste të turneut, po merr gradualisht formën e duhur. Grupi i punës i ngritur nga FSHF ka ndërhyrë në përmirësimin e fushës përmes mbjelljes së barit dhe rregullimit të sistemit të vaditjes, me qëllim që terreni të jetë plotësisht gati për muajin maj.

Stadiumet “Tofik Jashari” dhe “Luzi” janë vetëm dy nga impiantet stërvitore që po përmirësohen, teksa Federata po zhvillon njëkohësisht punime edhe në disa fusha të tjera stërvitore në qytete të ndryshme të vendit, si pjesë e angazhimit të saj për garantimin e kushteve optimale gjatë Europianit.