Juventusi kërkon me çdo kusht që të transferojë Mario Mitajn. Është ky lajmi i ditës që vjen nga “Tuttosport”, media e njohur në Itali. Një dëshirë e hershme kjo e bardhezinjve, ndërsa vetë futbollisti e ka pranuar në një intervistë për Koha Shtesë se ka pasur interesim nga ekipi italian, megjithëse jo diçka konkrete.
Por duket se bisedimet po shkojnë një hap më tej. Medi italiane tregon se Juventusi është fokusuar për transferimin e mbrojtësit të Shqipërisë. Kartoni i këtij futbollisti vlerësohet 12 milionë euro, ndërsa sipas “Tuttosport”, bardhezinjtë janë bindur nga performanca e Mitajt në Europianin e Gjermanisë dhe e shikojnë të aftë për të interpretuar rolin me të njëjtën shkathtësi si Andrea Cambiaso.
E gjithë situata “mbahet peng” nga ana e Lokomotivës së Moskës. Ishte vetë babai i Mario Mitajt, Lin Mitaj, i cili u shpreh se për djalin e tij ka interesim nga Italia duke nënkuptuar Juventusin, por sipas tij, vendimi përfundimtar mbetet te klubi rus. Nëse këta të fundit do të lëshojnë pak pe për shqiptarin, me shumë gjasa, në merkaton e verës Mitaj do të transferohet te Juventusi. /Sport Ekspres/