Duan të luftojnë kundër tyre dhe krenohen…me golat e FSHF! Turpi nuk ka fund, çfarë trajtimi i bëjnë talenteve të Shqipërisë

Kur do të vijë dita që Qeveria, Presidenca dhe gjithë shteti ynë, për një moment të vetëm, të mos kërkojë që të përfitojë nga futbolli sa të investojë në të? Kur do të vijë ajo ditë, që të ketë një frymë dhe një kulturë për të ndërtuar diçka të bukur së bashku dhe jo për të prishur e shkatërruar siç rëndomtë janë mësuar që të bëjnë. Ndoshta kurrë! Me këtë mëndësi, e sigurt është se…kurrë! Shikoni pak se çfarë skandali ka ndodhur në kohët e fundit. Sipas informacioneve të publikuara nga Top Channel, janë 10 futbollistë nga moshat e Shqipërisë, në Kombëtaren e meshkujve dhe femrave, që nuk po i jepet shtetësia shqiptare.

Pra talentet tona të ardhur nga Diaspora nuk po lejohen që të luajnë për Kombëtaren tonë teksa në muajin shtator do të rifillojë eventi për kuqezinjtë tanë që të zbresin në fushë. Dhe skandali nis këtu pasi këto shtetësi nuk janë pranuar dhe janë kthyer nga Presidenca te Ministria e Brendshme. Justifikimi i përdorur ishte arsyeja që sipas tyre ka ndryshime në ligjin e shtetësisë. Pra Shqipëria rrezikon që të humbasë disa talente në të ardhmen pasi Presidenca jonë thjeshtë ka pak inat…FSHF!

Deri këtu është çdo gjë në rregull, por situata fillon të bëhet me shumë nota sarkazme kur vetëm pak ditë më parë, Begaj i ka dhënë menjëherë shtetësinë shqiptare Albion Rrahmanit. Rrahmani është lojtari shqiptar i Kosovës që e donte këtë shtetësi për të përfituar në karrierën e tij pasi do të luajë në Itali, por ai është pjesë e Kosovës, nuk mund të luajë për Shqipërinë.
Arsyeja se përse Begaj e ka dhënë një shtetësi të tillë në mënyrë të menjëhershme dhe nuk vepron njësoj me lojtarët e tjerë që duan Shqipërisë është pasi Edon Zhegrova e mori të njëjtën shtetësi disa kohë më parë nga Edi Rama për të shkuar te Juventusi.

Pra ndryshe nga investimi për të ardhmen në rastin e talenteve shqiptarë të Diasporës, në rastin e Zhegrovës dhe të Rrahmanit, Qeveria kërkon të kapi “lajmin e parë” pasi këta lojtarë do të transferohen drejt Serisë A me “bekimin e tyre”.Por këtu qëndron edhe pjesa kontradiktore pasi në fakt kjo është meritë e FSHF që ka bërë një marrëveshje bashkëpunimi historike me Federatën Italiane të Futbollit që lojtarët shqiptarë të mos quhen të huaj në Itali. Pra Zhegrova dhe Rrahmani pasi u pajisën me pasaportën shqiptare, nuk do të quhen më të huaj në Itali. Dhe në momentin që Qeveria bën një të mirë të madhe për disa futbollistë në veçanti, pavarësisht sa shumë e urren, pas kësaj lëvizje, prapa qëndron sërish merita e FSHF. /Sport Ekspres/