“E mendoj gjatë gjithë kohës final 4-in”, Fagu tregon mënyrën e vetme për të arritur objektivin: Nuk ka rrugë tjetër, t’i fitojmë të gjitha ndeshjet

Kryeqyteti vishet i kuq. Partizani ka mposhtur Tiranën me shifrat 2-1 në derbin e zjarrtë të kryeqytetit. Mageti mori rolin e heroit në kampin e kuq. Mesfushori i Partizanit zhbllokoi rezultatin në minutën e 15 të takimit me një gol spektakolar nga distanca. Tirana u kundërpërgjigj në minutat e fundit të pjesës së parë.

Jonuzi shënjestroi portën në minutën e 41-të, por Qirko e grushtoi topin në zonë. Aty u gjend Kristal Abazaj, që me kokë e shtyu sferën drejt rrjetës. Rezultati qendroi i pandryshuar deri në minutën e 93-të, kur Partizani shfrytëzoi epërsinë numerike pas daljes me karton të kuq të Jonuzit në minutën e 87. Ishte sërish Mageti ai që e dërgoi topin pas shpinës së portierit kundërshtar, duke i dhënë fitoren të kuqve. Me këtë rezultat Tirana mbetet jashtë “final four”-it, me një pikë më pak nga Dinamoja. Më poshtë mund të ndiqni intervistat e protagonistëve për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Fagu (Tirana): “Në radhë të parë më vjen keq për këtë humbje, sepse kemi zhvilluar një ndeshje të mirë. Shpresoj të luajmë kështu në këto ndeshje të mbetura, për të arritur objektivin tonë, ‘final four’-in. Presioni është prezent në ndeshje të tilla. Pas kartonit të kuq u prishën ekuilibrat. Na mungoi edhe fati. U ndje lodhja fizike nga Kupa. E kishim një plan B, por u kushtëzuam shumë nga kartonët e verdhë që morën. Ndryshuam shpesh herë zëvendësimet që donim të bënim. Në çdo faull merrnim karton të verdhë, nuk e kuptoj këtë. Kjo na kushtëzoi te zëvendësimet, sepse u munduam të hiqnim lojtarët që kishin karton të verdhë, për të shmangur daljen me të kuq. Patjetër që e mendojmë gjatë gjithë kohës final four-in. Por për të arritur aty duhet të fitojmë të gjitha ndeshjet që na kanë mbetur. Nuk ka rrugë tjetër. Kam shumë besim, sepse në ndeshjet e fundit kemi luajtur shumë mirë. Kemi krijuar raste dhe kemi pasur stabilitet. Në tre ndeshjet e fundit do të japim gjithçka për gjithçka, sepse nuk kemi çfarë të humbim”.

Olsi Rama (Partizani): “Jam shumë i lumtur për këtë fitore sot. Kjo fitore i dedikohet presidentit të nderit, Resul Demit. Ai është tifozi i parë i “Guerrils”-ave. Jam shumë i kënaqur, sepse janë dy fitore n dy derbi. Jam shumë i kënaqur nga Mageti, sepse tregoi nivelin e tij. Por nuk jam i kënaqur vetëm me atë. Stafi po arrin që fizionominë e tyre të lojës ta përcjellin edhe te lojtarët. Duhet të jemi shumë të përgatitur për ato dy ndeshjet e fundit, sepse s’kam pasur kurrë dyshim që do të jemi aty. Mendoj që final four duhet të jetë me ekipet më të mira të Shqipërsë. Tirana i ka kualitetet dhe meriton të jetë aty. Këtë javë kemi një ndeshje që unë e vlërësoj po aq të vështirë sa derbi. Shpresoj që ekipi që do ta fitojë, ta meritojë dhe shpresoj që të jemi ne”.

Shehi (Partizani): “Është një fitore e rëndësishme. Fitore përballë një rivali historik. Për mua më të rëndësishëm janë ata që janë në stol se sa ata që e nisin nga fillimi. Kur ndërrimet bëhen shpejt për çështje dëmtimesh, çekuilibrohesh. Mendoj që kemi fituar një ndeshje të dominuar. Fitorja është për të gjithë tifozët, por në veçanti për presidentin tonë. Babai i tij është në një gjendje kritike, kështu që këtë fitore ia dedikoj atij. Ka qenë periudhë që asnjëherë nuk kemi qenë të plotë. Vetëm në Rrogozhinë. Kur ke kontigjent të plotë, nuk ke dyshime dhe kërkon të implementosh atë që ti kërkon. Jam i kënaqur me atë që skuadra po jep. Po e kuptojnë që është fazë e rëndësishme dhe po tregojnë karakter dhe uri për fitore. Maget është lojtari jonë pothuajse më i rëndësishëm. Kur ke performanca të tilla ofertat janë të pranishme. Por ne nuk prishim çdo gjë për të transferuar lojtarët. Mbetet për t’u parë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/