Derbi i kryeqytetit dhuroi një spektakël të vërtetë me gola, teksa Dinamo City triumfoi 4-2 ndaj Partizanit në stadiumin “Vora”, në kuadër të javës së katërt të Abissnet Superiores.
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe Dinamo gjeti golin e avantazhit që në minutën e 11-të. Hekuran Berisha përfitoi nga një gabim i Buxhelajt dhe mposhti Qirkon. Partizani reagoi shpejt dhe në minutën e 14-të Aliu barazoi shifrat me një goditje diagonale.
Megjithatë, pjesa e parë i përkiste Dinamos. Hoxhallari shënoi me kokë në minutën e 30-të, ndërsa vetëm katër minuta më vonë Silva-Richards realizoi golin e tretë, duke e çuar rezultatin në 1-3.
Në pjesën e dytë, Partizani u rikthye në lojë. Fadairo shënoi në minutën e 49-të, duke ngushtuar diferencën dhe duke ndezur shpresat e të kuqve për një përmbysje.
Por Dinamo nuk u dorëzua dhe vulosi fitoren në minutën e 78-të, kur Qardaku realizoi golin e katërt. Në fund, 4-2 për blutë, të cilët marrin një fitore të rëndësishme në derbi, ndërsa Partizani mbetet me shumë për të reflektuar pas një ndeshjeje me gjashtë gola. /Sport Ekspres/