Gjermania nuk dorëzohet në minutën e fundit, përmbys në limitet e kohës Greqinë

Gjermania ka treguar sot një nga tiparet tradicionale të saj, këmbënguljen deri në sekondat e fundit. “Pancerat” kanë përmbysur Greqinë në një takim miqësor, që ka përfunduar me shifrat 2-1. Grekët gjetën të parët rrugën e rrjetës, duke e dërguar topin pas shpinës së Nojerit në minutën e 33-të me anë të Masurasit.

Havertci barazoi në të 41-tën, por gjyqtari i mohoi festën për shkak të një pozicionimi jashtë loje. Kundërpërgjigja erdhi po përsëri nga Kai Havertci, por këtë herë në minutën e 55. Sulmuesi i Arsenalit u rrotullua bukur në zonë për ta ndalur topin në rrjetë. Këtë herë mund të festonte lirshëm, pasi goli ishte tërësisht i rregullt.

Me kohën që po punonte kundër tyre, gjermanët morën frerët e lojës në dorë. Qarkullimi i dendur i topit dhe krijimi i rasteve dhanë efektin e dëshiruar. Lojtarët e Gjermanisë nuk u dorëzuan deri në minutën e fundit dhe këmbëngulja u shpërblye. Gros realizoi një gol spektakolar nga jashtë zone në minutën e 89 të ndeshjes, duke përmbysur rezultatin në 2-1 për “pancerat”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/