Elbasani ka marrë një fitore të rëndësishme në javën e 12-të të Abissnet Superiore, duke mposhtur Dinamon me rezultatin 1-0 në “Elbasan Arena”. Një sukses me shije të veçantë për verdheblutë, pasi Glen Daja triumfon përballë skuadrës së drejtuar nga babai i tij, Ilir Daja.
Ndeshja ishte e luftuar dhe me raste nga të dyja skuadrat, por protagonistë u bënë edhe portierët. Dinamo e nisi më mirë takimin, duke krijuar dy mundësi të rrezikshme që në minutat e para, por Aleksovski tregoi reflekse të shkëlqyera për të mbajtur portën të paprekur.
Edhe Elbasani pati rastet e veta, ndërsa në minutën e 60-të arriti të shënonte, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Verdheblutë gjetën sërish rrugën e rrjetës në minutën e 77-të me Mazarin, por këtë herë goli u anulua për prekje të topit me dorë.
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt barazimit, në minutën e 85-të erdhi momenti vendimtar. Epitaux dërgoi topin në rrjetë dhe i dha Elbasanit një fitore të madhe.
Në fund, 1-0 për skuadrën e Glen Dajës, që merr tri pikë të rëndësishme dhe barazon Dinamon në kuotën e 17 pikëve. Elbasani renditet në vendin e pestë, ndërsa Dinamo mban vendin e katërt. Një derbi i veçantë familjar, që këtë herë buzëqeshi për të birin, Glen Daja!