Interi ka marrë një fitore të vështirë kundër Veronës. Goli i Frattesi-t në minutën e 93-të i dha tre pikët zikaltërve. Por arbitrimi në këtë sfidë ka zemëruar kampin e Veronës. Drejtori sportiv i verdhebluve ka folur në konferencë për shtyp, ku ka kritikuar gjyqtarin kryesoe dhe VAR-in për mosanullimin e golit të Interit. Sogliano e ka quajtur mungesë respekti arbitrimin e kësaj përballjeje.
“Do të kisha dashur të flisja për futbollin që është jeta jonë. Por jam i zhgënjyer me udhëheqjen e Interit. Uroj që zikaltrit të fitojnë kampionatin, ndoshta do ta fitojnë. Por sot kishte mungesë të madhe respekti për një ekip në vështirësi. Të gjithë bëjnë gabime, por është e paimagjinueshme që VAR-i të mos ndërhyjë për një bërryl nga një top i largët.
Nuk dua të ankohem, por kjo është mungesë respekti. Gol i paanulluar kështu nuk është gabim, por është mungesë respekti për një qytet, për tifozët dhe për ata si unë që bëjnë një rrëmujë të tillë nga mëngjesi në mbrëmje. Nuk kam folur kurrë në jetën time për VAR-in, i besoj futbollit por sot ishte një gjë e turpshme”, ka deklaruar Sean Sogliano./Halit Delibashi-Sport Ekspres/