Shqipëria e vajzave ka nisur përgatitjet në kuadër të ndeshjes së dytë kualifikuese ndaj Estonisë, e vlefshme për Kampionatin Europian “Zvicër 2025”. Skuadra kuqezi është stërvitur pasditen e sotme në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se grupi është në gjendje të mirë dhe nuk ka probleme fizike pas ndeshjes së parë me Luksemburgun.
Skuadra është stërvitur për më shumë se një orë nën urdhrat e trajnerit Armir Grima dhe ngarkesën e morën të plotë të gjitha lojtaret. Stërvitja e stome nisi fillimisht me punën në palestër e më pas në fushë, teksa trajneri Grima së bashku me ekipin provuan disa situata të ndryshme loje dhe ushtrime me topin.
Kombëtarja e vajzave do të mbyllë nesër përgatitjet për ndeshjen e dytë kualifikuese ndaj Estonisë. Kjo sfidë e rëndësishme do të luhet të martën në stadiumin “Air Albania” në ora 20:00. Shqipëria e vajzave do të kërkojë fitoren e parë në këtë edicion të ri kualifikues dhe hyrja në stadiumin “Air Albania” për të gjithë tifozët në mbështetje të vajzave kuqezi do të jetë falas.