“Ia dedikojmë Resul Demit, ai është tifozi i parë i ‘Guerrils’-ave”, Rama lë mënjanë tifozerinë: Tirana e meriton të jetë në ‘final 4’

Kryeqyteti vishet i kuq. Partizani ka mposhtur Tiranën me shifrat 2-1 në derbin e zjarrtë të kryeqytetit. Mageti mori rolin e heroit në kampin e kuq. Mesfushori i Partizanit zhbllokoi rezultatin në minutën e 15 të takimit me një gol spektakolar nga distanca. Tirana u kundërpërgjigj në minutat e fundit të pjesës së parë.

Jonuzi shënjestroi portën në minutën e 41-të, por Qirko e grushtoi topin në zonë. Aty u gjend Kristal Abazaj, që me kokë e shtyu sferën drejt rrjetës. Rezultati qendroi i pandryshuar deri në minutën e 93-të, kur Partizani shfrytëzoi epërsinë numerike pas daljes me karton të kuq të Jonuzit në minutën e 87. Ishte sërish Mageti ai që e dërgoi topin pas shpinës së portierit kundërshtar, duke i dhënë fitoren të kuqve. Me këtë rezultat Tirana mbetet jashtë “final four”-it, me një pikë më pak nga Dinamoja. Më poshtë mund të ndiqni intervistat e protagonistëve për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Olsi Rama (Partizani): “Jam shumë i lumtur për këtë fitore sot. Kjo fitore i dedikohet presidentit të nderit, Resul Demit. Ai është tifozi i parë i “Guerrils”-ave. Jam shumë i kënaqur, sepse janë dy fitore n dy derbi. Jam shumë i kënaqur nga Mageti, sepse tregoi nivelin e tij. Por nuk jam i kënaqur vetëm me atë. Stafi po arrin që fizionominë e tyre të lojës ta përcjellin edhe te lojtarët. Duhet të jemi shumë të përgatitur për ato dy ndeshjet e fundit, sepse s’kam pasur kurrë dyshim që do të jemi aty. Mendoj që final four duhet të jetë me ekipet më të mira të Shqipërsë. Tirana i ka kualitetet dhe meriton të jetë aty. Këtë javë kemi një ndeshje që unë e vlërësoj po aq të vështirë sa derbi. Shpresoj që ekipi që do ta fitojë, ta meritojë dhe shpresoj që të jemi ne”.

Shehi (Partizani): “Është një fitore e rëndësishme. Fitore përballë një rivali historik. Për mua më të rëndësishëm janë ata që janë në stol se sa ata që e nisin nga fillimi. Kur ndërrimet bëhen shpejt për çështje dëmtimesh, çekuilibrohesh. Mendoj që kemi fituar një ndeshje të dominuar. Fitorja është për të gjithë tifozët, por në veçanti për presidentin tonë. Babai i tij është në një gjendje kritike, kështu që këtë fitore ia dedikoj atij. Ka qenë periudhë që asnjëherë nuk kemi qenë të plotë. Vetëm në Rrogozhinë. Kur ke kontigjent të plotë, nuk ke dyshime dhe kërkon të implementosh atë që ti kërkon. Jam i kënaqur me atë që skuadra po jep. Po e kuptojnë që është fazë e rëndësishme dhe po tregojnë karakter dhe uri për fitore. Maget është lojtari jonë pothuajse më i rëndësishëm. Kur ke performanca të tilla ofertat janë të pranishme. Por ne nuk prishim çdo gjë për të transferuar lojtarët. Mbetet për t’u parë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/