Lojtari dëshiron të bëjë hapin e radhës, Dortmundi dhe Lajpcigu vëzhgojnë Brajan Grudën

Brajan Gruda është një nga emrat më të lakuar së fundmi në mediat gjermane. Lojtari 19-vjeçar zhvilloi një sezon të shkëlqyer me Majncin, të cilin e ndihmoi që të siguronte qendrimin në Bundesligë edhe për një sezon tjetër. Paraqitjet e tij kanë tërhequr edhe vëmendjen e skuadrave të njohura gjermane. “Sky Sports” raporton se Gruda është në listën e Lajpcigut dhe të Borusias së Dortmundit.

Gazetari Filip Hince shkruan në llogarinë e tij në “Tëitter” se: “Brajan Gruda është në listën e sulmuesëve të Lajpcigut, ashtu siç raporton edhe “Sport Bild”. Por nuk është një temë e nxehtë për momentin. Lajpcigu po e vëzhgon 19-vjeçarin dhe e vlerëson zhvillimin e tij. Profili i futbollistit me potencial për zhvillim, që krijon dhe gjithashtu i përfundon aksionet vetë, përputhet me kërkesat e Lajpcigut. Ka interesim bazë, por asgjë më shumë”.

Ndërkohë, gazetari Patrik Berger raporton se: “Borusia e Dortmundit është në mesin e klubeve që po vëzhgojnë Brajan Grudën, por nuk ka ende asgjë konkrete. Lojtari dëshiron që të ndërmarrë hapin e radhës. Ai nuk ka një klauzolë lirimi në kontratën e tij me Majncin, kështu që një çmim për transferimin do të ishte lirisht i negociueshëm”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/