“Martini, mos ma merr për keq, duhej ta kishe vënë re”! Alliu për lojtarin e Vllaznisë: Humbte topin dhe i futej sparkatave

Vllaznia dhe Elbasani pritej që të ndanin luftën me njëri-tjetrin për titullin kampion, por të dyja këto ekipe kanë humbur në javën e parë të Final Four. I ftuar në Mega Sport që transmetohet në A2 CNN, Ilir Alliu, ka treguar se këto humbje lidhen me faktin se këto klube nuk kanë luajtur seriozisht në javët e fundit të kampionatit të rregullt dhe fatura është kjo.

“Përse humbën Vllaznia dhe Elbasani? Le të shohim pak si erdhën në Final Four. Vinin nga tolerime në 3-4 ndeshjet e fundit, përvec Egnatias që kishte 2 fitore dhe 2 barazime në 4 ndeshjet e fundit. Futbolli është vazhdimësi, nuk gjendet rrugës. Kur u vu re neglizhenca e ekipeve të Final Four, e thamë se do të ndodhte kjo. Në futboll ka një ligj, formën nëse e gjen, mos e lësho, se nuk e gjen dot më pastaj.
Elbasani ka produktin e 3 humbjeve radhazi dhe forma sportive nuk është dicka materiale, që ti e gjen sot, e lë të shtëpia dhe e merr ditën që të duhet. Ajo është uniforma, jo formë sportive. Forma sportive do ritëm, të mbash ekipin në tonus, pas 3 humbjesh nuk e gjen dot, këto janë gafa të rënda. Edhe Vllaznia vjen në mënyrë të tillë, me 3 humbje në 4 javët e fundit. Nëse ti nuk e provon ekipin seriozisht në 3 javët e fundit, nuk ke sesi të hysh për titull kampion.

E ndoqa me shumë vëmendje ndeshjen e Vllaznisë. Vllaznia ishte shumë në trysni dhe e kërkon daljen në sulm jo natyrshëm, ishte e sforcuar në manovrën sulmuese. Dinamo priti gjithë ndeshjen, prIti momentin që Vllaznia të cekuilbrohej dhe kështu fitoi. Kam një detaj për Martinin, që duhej ta kishte vënë re, po ia bëj një vërejtje, shpresoj ta mirëkuptoj. Qendërmbrojtësi i Vllaznisë e mori kartonin e parë të verdhë kur kishte topin në kontroll, e humbi dhe pastaj merr karton të verdhë. Pra ky lojtar ishte shumë në presion dhe nuk ishte mentalisht gati për atë ndeshje. Pra një mbrojtës të marrë karton të verdhë në minutën e 30 dhe të mos marrësh masa për ta hequr atë, atëherë e ekspozon shumë. Po bënte shumë ndërhyrje të tilla, humbte topin që e kishte vetë në zotërim dhe pastaj i futej sparkatave për ta kapur topin. Nuk i falet stolit kjo”, tha Alliu. /Sport Ekspres/